IKD: VV-ja mban përgjegjësi për bllokadën, Kuvendi duhet të konstituohet - NACIONALE

IKD: VV-ja mban përgjegjësi për bllokadën, Kuvendi duhet të konstituohet

3 javë më parë

nga NACIONALE

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Avni Dehari mbajnë përgjegjësi për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues prej 30 ditësh.

Sipas IKD-së, përmes veprimeve dhe mosveprimeve, VV-ja dhe Dehari kanë pamundësuar përfundimin e procesit brenda këtij afati, duke vepruar në kundërshtim me detyrimet kushtetuese dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

IKD e ka konsideruar pozitive gatishmërinë e PDK-së dhe LDK-së për të marrë pjesë në seancën e Kuvendit të thirrur për 9 shtator dhe ka bërë thirrje që ajo të përfundojë me konstituimin e Kuvendit.

Instituti thekson se shkelja e afatit kushtetues nuk nënkupton se Kuvendi nuk mund të konstituohet më. Përkundrazi, sipas IKD-së, detyrimi për funksionalizimin e institucioneve vazhdon edhe pas skadimit të afatit.

“Çdo ditë e re e bllokadës nuk e korrigjon shkeljen e deritanishme, vetëm e thellon atë”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

IKD vlerëson se përgjegjësia për shkeljen e afatit duhet të konstatohet dhe të ketë pasoja, por kjo nuk mund të përdoret si arsye për një bllokadë të re institucionale.

Sipas institutit, konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të Qeverisë dhe zgjedhjes së Presidentit.

Lajme të ngjashme