Ibrahimi: Ndalja e pagave për punëtorët grevistë, akt arbitrar dhe i rrezikshëm
Analisti Ilir Ibrahimi i ka reaguar Qeverisë së Kosovës, pasi kjo e fundit ua ka ndalur pagat grevistëve.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se një veprim i tillë është një akt arbitrar.
“Ndalesa e pagave ndaj pjesmarrësve të grevës është një akt arbitrar që mund të vendos një presedan të rrëzikshëm. Së pari, pjesmarrja në greva është një e drejtë ligjore. E dyta, si mund të vendos ministri i financave të paguajë ose jo punëtorët që janë të punësuar në nivel komunal, ku secila komunë e ka buxhetin e ndarë, dhe e shfrytëzon atë në mënyrë të pavarur. Së treti, buxheti i shtetit nuk mund të shfrytëzohet si pronë private e një ministri. Madje edhe në kompani private, ku i gjithë kapitali mund të jetë në pronësi të një individi, nuk mund të ndermerren masa të tilla sepse janë të jashtligjshme”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kjo qasje nuk ka të bëjë me demokracinë.
“Qasja që “ne ta ndalim rrogën”, është një qasje e vjetër, e sistemeve që nuk kanë të bëjnë aspak me demokracinë. Nëse kjo qeveri ka ardhur në pushtet me mjete demokratike, me një votë mbi 50%, nuk mund të qeverisë me metoda diktatoriale dhe arbitrare”, ka vlerësuar ai.