Ibrahimi: Janë ekzekutuar rrogat pasdite që të mos dalin nëpër xhirollogari deri të hënën
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka deklaruar se ka informacione se pagat e mbajtura nga Qeveria e Kosovës për grevistët në sektorin publik janë ekzekutuar të premten pasdite.
Këtë informacion, sipas Ibrahimit, e ka konfirmuar kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
“Duke ardhur këtu më telefonoi zoti Lladrovci dhe më dha informatë për gëzim dhe më tha që në ora 15:00 Ministria e Financave i ka ekzekutuar pagesat. Kryetari Lladrovci ma dha si informatë të konfirmuar dhe kjo vjen pas një presioni të Asociacionit të Komunave. Bëhet fjalë për të gjithë punonjësit e sektorit publik në nivelin lokal”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV’së.
Ibrahimi ka thënë se thirrja e Qeverisë për konferencën e nesërme me siguri do të jetë për të shpallur realizimin e këtyre pagesave.
“Janë ekzekutuar pasdite që të mos dalin nëpër xhirollogari deri të hënën. Për nesër kanë thirrur konferencë dhe me siguri për ta dhënë këtë lajm”, ka thënë ai.