"I papranueshëm dhe i dënueshëm": AGK-ja reagon për kërcënimin e gazetarit të Nacionales, Burim Pacolli
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar për kërcënimin e gazetarit të Nacionales, Burim Pacolli, duke thënë se kërcënimet ndaj tij janë të papranueshme dhe të dënueshme.
Gazetari i Nacionales, Burim Pacolli është kërcënuar nga një person përmes rrjetit social “Instagram”.
“Personi me nofkën “Edon Edon”, fillimisht e ka kërcënuar në komente gazetarin, e më pastaj në profilin e tij, ka kërkuar t’ia gjejnë adresën e banimit të Pacollit, me arsyetimin se po i duhet.” – thuhet në reagimin e AGK-së.
Nacionale dënon ashpër kërcënimet ndaj gazetarit tonë, Burim Pacolli, teksa bëjmë thirrje që organet e rendit dhe sigurisë të ndërmarrin hapa sa më parë në kapjen e personit dhe vënien e tij para përgjegjësisë.
Reagimi i plotë i AGK-së:
Burim Pacolli – gazetar në Nacionale ka pranuar kërcënime nga një person përmes rrjetit social Instagram.
Personi me nofkën “Edon Edon”, fillimisht e ka kërcënuar në komente gazetarin, e më pastaj në profilin e tij, ka kërkuar t’ia gjejnë adresën e banimit të Pacollit, me arsyetimin se po i duhet.
Në njoftimin dërguar Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Pacolli ka bërë të ditur se rasti është lajmëruar edhe në Policinë e Kosovës.
AGK-ja, është e shqetësuar me trendin në rritje të kërcënimeve online në drejtim të gazetarëve dhe medieve, kaq lehtësisht nga qytetarët. Për AGK-në, kërcënimi ndaj Pacollit është i papranueshëm dhe dënueshëm, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës të trajtojë rastin me prioritet, dhe ndërmarrë hapat e nevojshëm në mënyrë që personi të mbahet përgjegjës.