“I ngutshëm, por i kthyeshëm” – PSD me aksion simbolik në Merdarë
Partia Socialdemokrate ka mbajtur aksion në pikën kufitare në Merdarë, me pankartë ndaj kryeministrit, Albin Kurti, ku kanë shkruar “i ngutshëm, por i kthyeshëm”.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj në lidhje me këtë ka thënë se që nga fillimi i kësaj qeverie, jemi udhëheqë nga një politikë pa princip, pa koherencë dhe të pandershme.
“I ngutshëm, por i kthyeshëm. Që nga fillimi i kësaj qeverie, jemi udhëheqë nga një politikë pa princip, pa koherencë dhe të pandershme. Kosova është e izoluar me sanksione krahas Bjellorusisë, Venezueles e Iranit, ndërkohë që po na përvidhet autonomia. Në krejt këto situata po rritet pensioni për 20 euro, që se mbulon as inflacionin e tri viteve të fundit.” – ka shkruar Molliqaj.
Ai tutje ka thënë se kjo nuk është qeverisje me integritet, kjo është një qeveri që shkon sipas interesave të pushtetit të një njeriu.
“Kurti ka ndërtu një qasje politike bazuar në iluzione: çdo herë vepron me dy mesazhe të kundërta. Fillimisht bën një lëvizje të bujshme që duket si rezistencë ndaj presioneve të jashtme – i ashpër, i paepur, sikur nuk bën kompromis. Nuk po kalon shumë kohë, kompromisi po vjen, e mbrapa po e len dëmin që po shkaktohet, deri te rezistenca e rradhës. Pas gjithë këtij teatri popullist, humbjet po na shiten si fitore.”
“Kur u vendosën masat për produktet serbe, u tha se ato ishin për arsye sigurie. Po çfarë ndodhi? Pa ndryshuar asgjë në terren, pa asnjë skaner të kërkuar si kriter, kamionët filluan të qarkullojnë. Kjo nuk ka të bëjë me sigurinë kombëtare, kjo është frika e një politikani për të humbur pushtetin. Kur mallrat filluan të qarkullojnë, nuk ishte sepse u përmbushën kriteret e qeverisë, por sepse Kurti rrezikonte përjashtimin nga Procesi i Berlinit.” – ka shkruar ai.
Kreu i PSD-së, tutje ka thënë se qytetarët e Kosovës po i vuajnë pasojat, duke shtuar se pasiguria po bëhet pjesë e përditshmërisë.
“Ky është modus operandi i Kurtit: ai vepron me një qëndrim të fortë në fillim, krijon një spektakël për të fituar pikë politike, pastaj tërhiqet në momentin kur presioni personal bëhet i padurueshëm. Kemi parë këtë tek ura në Mitrovicë, po e shohim të gjitha proceset që i ka nisur. Në ndërkohë, qytetarët e Kosovës janë ata që po vuajnë pasojat. Pasiguria po bëhet pjesë e përditshmërisë. Kërcënimet për konflikt janë gjithnjë prezente. Çmimet janë të larta, projektet kapitale mungojnë, investimet e huaja po na anashkalojnë.” – ka përfunduar Molliqaj.


