I dënuari me 4 vjet burgim ekstradohet nga Franca në Kosovë
Policia e Kosovës ka njoftuar se një person i kërkuar ndërkombëtarisht nga organet e rendit është ekstraduar nga Franca në Kosovë.
Kjo pasi personi në fjalë ishte dënuar me katër vjet burgim për veprën penale të mbajtjes së paautorizuar të armëve.
Përmes një njoftimi policia ka treguar se ekstradimi është realizuar dje nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në bashkëpunim me njësitë përkatëse të Policisë dhe institucionet e drejtësisë.
“I njëjti është dënuar me burgim në kohëzgjatje katër (4) vjet. Personi në shoqërim të zyrtarëve të ILECU-t, ka arritur në Aeroportin e Prishtinës, ku më pas nga zyrtarët e njësisë së sektorit, është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, ku është dorëzuar në Qendrën e Paraburgimit për vuajtje të dënimit”, është thënë në njoftimin e Policisë së Kosovës.