Hysni Gucati nesër i nënshtrohet operacionit
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), ka njoftuar se se ish-kryetari i OVL e UÇK-së, Hysni Gucati, nesër do t’i nënshtrohet një operacioni.
Sipas një njoftimi thuhet se Gucati kishte probleme të theksuara shëndetësore edhe para arrestimit, ndërkohë që gjatë qendrimit në paraburgim i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
“Hysni Gucati, i dënuar me 4,5 vjet burg nga Gjykata Speciale në Hagë kishte probleme të theksuara shëndetësore edhe para arrestimit ndërsa gjatë qëndrimt në paraburgim i ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore dhe për këtë KMDLNj ka reaguar publikisht sikur që e ka përfshirë këtë edhe në raportin për monitorim. Gjykata Speciale, shkaku se operacioni ka qenë i kushtueshëm ka qenë hezituese duke pritur rezultatin e gjykimit. Pasi Hysni Gucati u dënua thuaja me dënim që kishte kërkuar Prokurori i Specializuar dhe pasi i ishin refuzuar të gjitha kërkesat për lirim nga paraburgimi në mënyrë që të trajtohet jashtë Burgut të Hagës, para një kohe ishte marrë vendim të operohet, pa e caktuar kohën e saktë”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndërkohë, në njoftimin e KMDLNJ-së, thuhet se të paraburgosurve në Gjykatën Speciale nuk ka kush t’ua mbrojë të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria, ndërkohë që përmendi se institucionet e Kosovës, as nuk kanë ndonjë mundësi e as nuk kanë interesim.
“Të paraburgosurve në Gjykatën Speciale nuk ka kush t’ua mbrojë të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria kurse institucionet e Kosovës, as nuk kanë ndonjë mundësi e as nuk kanë interesim. Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta diskutojnë, si në komisionet parlamentare ashtu edhe si pikë e rendit të ditës të drejtat e të paraburgosurve, shtetas të Kosovës, nga aspekti i të drejtave të njeriut duke kërkuar teansparencë më të madhe nga kjo Gjykatë”, thuhet tutje në njoftim.