Hydajet Hyseni nuk e përjashton mundësinë e largimit të deputetëve nga VV
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hydajet Hyseni, ka thënë se nuk e përjashton mundësinë e largimit të deputetëve nga kjo parti.
Por, Hyseni tha se kryetari i kësaj partie, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ditur t’i bashkojë edhe prurjet e reja në qëllime më të larta dhe sublime.
“Nuk e kam këtë përshtypje, por nuk do ta përjashtoja. Këto ndodhin shpesh, por arsye nuk ka. Ndoshta një nga vlerat e Albin Kurtit, është mjeshtëria për të bashkuar edhe prurje të reja dhe me dallime që pas kjo të funksionojë edhe në qëllime më të larta dhe sublime”, tha ai në Klan Kosova.
Gjatë ditëve të kaluara është thënë se Qeveria Kurti, mund të bie në shtator pasi që disa nga deputetët nga koalicioni mund të largoheshin.
Po ashtu, mundësinë e largimit nuk e ka përjashtuar as deputeti i VV-së, Fatmir Sheholli, i cili ka thënë se nëse vazhdon kjo mënyrë qeverisëse, ka gjasa të largohet nga VV.