Hungaria i jep azil politik ish-ministrit polak të akuzuar për përvetësim
Hungaria i ka dhënë azil politik ish-ministrit polak të Drejtësisë, Zbigniew Ziobro, i cili po ballafaqohet me akuza për përvetësim në vendin e tij.
Ziobro po përballet me 26 akuza të lidhura me përvetësim të parave nga një fond që ishte caktuar për viktimat e krimeve dhe rehabilitimin e kriminelëve, raporton televizioni BBC.
Ish-ministri po akuzohet se e kishte autorizuar blerjen e pajisjeve për spiunim që dyshohet se janë përdorur për t’i hakuar telefonat e kundërshtarëve politikë. Megjithatë, ai thotë se është viktimë e përndjekjes politike.
Dhënia e azilit një shtetasi të një vendi tjetër të Bashkimit Evropian bie ndesh me frymën e standardeve të BE-së, thekson transmetuesi public britanik.
Sidoqoftë, në rastin e Hungarisë, kjo nuk është as gjë e re, as e befasishme.
Ziobro është politikani i dytë ish-qeverisë së udhëhequr nga partia Ligj dhe Drejtësi që i jepet ky status. Vitin e kaluar, azil iu dha ish-zëvendësit të tij, Marcin Romanowski, i cili kishte ikur në Budapest për të kërkuar mbrojtje.
Të dy akuzohen për korrupsion dhe keqpërdorim të pushtetit, më e rëndësishmja, për shfrytëzim të parave të Fondit të Drejtësisë, që kontrollohet nga shteti dhe që ishte nën mbikëqyrjen e tyre, me qëllim të financimit të partisë së tyre e miqve të saj.
Ziobro ishte ministër i Drejtësisë nga viti 2015 deri më 2023 nën pushtetin e partisë Ligj dhe Drejtësi, e cila është e rreshtuar me kryeministrin hungarez, Viktor Orban./Nacionale