Hoxhaj për Raportin e Progresit: Aty thuhet se Statuti i Asociacionit është çështje e përfunduar, kërkohet veç zbatim
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shkruar rreth Raportit të Progresit të sivjetmë ku thotë se është “për të ardhur keq” se si procesi i transformimit të vendit është bllokuar, ndërsa ka marrë vetëm obligime nga marrëveshjea për Serbinë “pa asnjë fitim konkret”,.
“Raporti thekson se Kosova duhet të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Gjithashtu, theksohet qartë se propozimi evropian për Asociacionin është çështje e përfunduar për BE-në dhe Kosova vetëm duhet ta zbatojë atë”, ka shkruar Hoxha.
Postimi i plotë:
Kur e lexon raportin e progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, është për të ardhur keq që procesi i transformimit është ndalur dhe bllokuar, pasi gjatë viteve të fundit Kosova nuk ka pasur asnjë reformë të brendshme në asnjë sektor dhe asnjë sukses në politikën e jashtme. Ajo ka marrë vetëm obligime nga dialogu me Serbinë, pa asnjë përfitim konkret dhe pa mbështetje politike dhe financiare!
Në raportin e progresit thuhet qartë se Kosova nuk pritet të marrë statusin e kandidatit në një kohë të afërt. Pas aplikimit në dhjetorin e vitit 2022, kërkesa e Kosovës nuk është trajtuar fare në Bruksel, as me shkrim dhe as me ndonjë zotim politik joformal!
Raporti thekson se Kosova duhet të zbatojë Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit. Gjithashtu, theksohet qartë se propozimi evropian për Asociacionin është çështje e përfunduar për BE-në dhe Kosova vetëm duhet ta zbatojë atë. Ajo që përmban teksti i raportit është mjaft shqetësuese, ku thuhet:
“Si Kosova ashtu edhe Serbia pritet të zbatojnë obligimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe (A/CSM). Kosova pritet të nisë procesin që çon në krijimin e A/CSM bazuar në propozimin evropian të paraqitur ndaj Palëve më 21 tetor 2023. Serbia pritet të fillojë të përmbushë detyrimet e saj nga Marrëveshja paralelisht duke inicuar njohjen e dokumenteve, simboleve dhe institucioneve të Kosovës.”
Nga ky paragraf kuptohet qartë që Marrëveshja e Brukselit dhe Asociacioni janë në fuqi, dhe përtej debatit të nënshkrimit dhe zbatimit, të gjitha këto janë në fuqi!