Hoxhaj: Kosova po rrëshqet drejt kaosit dhe anarkisë
Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, ka ngritur alarmin për gjendjen institucionale në Kosovë, duke e përshkruar situatën si një rrëshqitje të rrezikshme drejt kaosit, anarkisë dhe dobësimit të shtetit në planin e brendshëm dhe ndërkombëtar.
Hoxhaj ka vënë në pikëpyetje funksionalitetin e institucioneve dhe ka akuzuar qeverisjen për papërgjegjësi në një moment që, sipas tij, kërkon seriozitet shtetëror dhe orientim të qartë kombëtar.
“Nëse dikush ka menduar se rënia në kaos nuk ndodh menjëherë, e ka pasur gabim. Vitin e kaluar e mbyllëm pa një Kuvend me funksion të plotë dhe pa një Qeveri me mandat demokratik. Pas dy javësh rrezikojmë të mbetemi edhe pa një President legjitim. Periudha kur pas zgjedhjeve ndërtoheshin shpejt institucionet tashmë i përket historisë. Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia.”
Hoxhaj e vendos këtë krizë edhe në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, duke argumentuar se Kosova po humbet kohë dhe peshë politike në një periudhë kur zhvillimet ndërkombëtare kërkojnë lidership, kohezion dhe qartësi strategjike.
“Në një moment kur bota përballet me sfida të mëdha që përcaktojnë fatin e kombeve, qeveria e Kosovës po luan me shtetin, duke sakrifikuar interesin kombëtar për ego të vogla politike dhe ambicie personale. Kjo nuk është më thjesht krizë politike, por një rrëshqitje e rrezikshme që po e dobëson Kosovën nga brenda dhe jashtë.”
Hoxhaj paralajmëron për koston afatgjatë të një vazhdimi të kësaj situate.