Hovenier: SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në dhe Lajçakun si ndërmjetësues të dialogut
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se shteti amerikan nuk ka ndryshuar qëndrim për BE-në si ndërmjetësuese procesit të dialogut Kosovë – Serbi.
Gjatë një fjalimi të mbajtur në edicionin e dytë të Samitit të Paqes dhe Demokracisë që po mbahet në Prishtinë, ai ka thënë se SHBA-ja ka besim të plotë edhe në emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, të cilin kryeministri Albin Kurti e ka kritikuar për njëanshmëri në proces.
“SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”, ka thënë Hovenier.
Ai ka vlerësuar se pritjet e SHBA-së janë që të dy plaet ti zabatojnë obligimet që kanë marrë në dialog.
“Është e rëndësishme që të gjithë aktorët në këtë operacion, në këtë proces, të pranojnë procesin në të cilin janë dhe të luajnë poker me letrat që u kanë rënë. Dhe të kenë në mendje këtë vizion, puna për normalizimin e raporteve, për zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe të Aneksit, nga të dyja palët, gjë që është pritja jonë, është rruga përpara. Kjo e sjell Kosovën më afër vizionit që ne ndajmë për integrimin e plotë në strukturat euro-atlantike”, është shprehur diplomati amerikan, raporton REL.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti të hënë ka thënë se në takimin e 14 shtatorti, emisari i BE-së, Miroslav Lajçaku ishte pozicionuar kundër Kosovës.
"Unë nuk do të thosha që ka pasur koodinim të BE-së me Serbinë, do të thosha emisari ka pasur koordinim me presidentin e Serbisë. Nuk shpjegohet ndryshe fakti që fshihet mungesa e propozimeve të Serbisë, dhe në anën tjetër shpërfillen propozimet tona. Gjatë gjithë vitit bëj propozime kreative. Serbia s’ka dhënë asnjëherë propozime.”, ka thënë ndër të tjera Kurti.