Hovenier: Kryetarët e rinj në veri duhet të marrin rol teknik, jo politik
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se kryetarët e sapozgjedhur të katër komunave veriore duhet të marrin rol teknik dhe jo politik.
Ajo ka thënë se kjo duhet të ndodh për shkak të pjesëmarrjes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit.
Në një intervistë për “Telegraf”, ambasadori amerikan i ka inkurajuar kryetarët e rinj që të jenë të përgjegjshëm.
“Nga këndvështrimi politik, megjithatë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik, duke njohur kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën. Ne vazhdojmë t’i inkurajojmë ata që të jenë të përgjegjshëm ndaj nevojave të të gjithë zgjedhësve të tyre”, ka thënë Hovenier.
Ai ka bërë me dije se zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur.
“Të gjitha palët duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe përmbajtje dhe të minimizojnë pikat e mundshme të tensionit. Ne absolutisht nuk mbështesim asnjë përdorim të forcës që mund të rezultojë në tensione të shtuara ose në konflikt të dhunshëm. Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur”, është shprehur ai.
Diplomati amerikan ka vlerësuar se çdo aktivitet kriminal ndaj kryetarëve të zgjedhur do të dënohet fuqishëm nga SHBA-ja.
“Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar”, ka deklaruar ai.