Hovenier: Kosova tregoi zemërgjerësinë kur ua hapi dyert ukrainasve që kishin nevojë
Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, ka lavdëruar Republikën e Kosovës për pritjen e ukrainasve që kishin nevojë për strehim.
Përmes një opinioni të publikuar në përvjetorin e pavarësisë së Ukrainës, ka thënë se Kosova ka vepruar drejt kur ka vendosur për sanksione ndaj Rusisë pas agresionit në Ukrainë.
“Kosova ka reaguar shpejt duke dënuar pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikuar nga ana e Rusisë dhe duke shprehur solidaritet të plotë me popullin e Ukrainës. Kosova u rreshtua menjëherë me sanksionet e SHBA-ve dhe BE-së në mbështetje të Ukrainës. Kosova tregoi zemërgjerësinë dhe përkushtimin e saj ndaj demokracisë duke ua hapur dyert ukrainasve që kishin nevojë për strehim, përfshirë edhe gazetarëve, që ata të mund të vazhdonin të përmbushnin rolin e tyre jetik për të mbajtur shtypin e Ukrainës të lirë dhe të pavarur”, ka vlerësuar Hovenier.
Sipas tij, agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është ndër ngjarjet më të rëndësishme për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Duhet të qëndrojmë të bashkuar në mbështetjen për sovranitetin, demokracinë dhe aspiratat evropiane të Ukrainës. Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është ndër ngjarjet më të rëndësishme për Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore. Forcat ruse kanë kryer krime lufte dhe mizori dhe lufta e tyre në Ukrainë do të ketë pasoja negative në pasigurinë ushqimore në nivel botëror dhe ekonominë botërore për vite me radhë. Reagimi mbarë-botëror ndaj luftës kundër Ukrainës ka qenë aq i thellë dhe i ka prekur aq shumë njerëz sepse në vazhdën e kësaj lufte, pothuajse çdo ditë kemi parë dëshmi të dhunës, shkatërrimit, rrënimit dhe vdekjes”, ka thënë ai.