Hoti: Pesë vitet e fundit kanë qenë vite të ngecje, më 28 dhjetor është mundësia për të ndalur dështimet - NACIONALE

Hoti: Pesë vitet e fundit kanë qenë vite të ngecje, më 28 dhjetor është mundësia për të ndalur dështimet

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Ish-deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka njoftuar se sërish do të jetë kandidat i kësaj partie për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ai ka vazhduar kritikat ndaj pushtetit aktual, duke thënë se 5 vitet e fundit kanë qenë vite të ngecjes, të cilat nuk duhet të lejohen të vazhdojnë më.

Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se më 28 dhjetor është mundësia jonë për të ndalur dështimet.

Postimi i plotë i Hotit:

Me mbështetjen e plotë të strukturave të Degës së LDK-së në Rahovec, e kam për nder dhe privilegj të jem pjesë e listës për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

Ju falënderoj nga zemra për besimin e vazhdueshëm dhe ju ftoj që edhe këtë herë ta shprehni fuqinë tuaj duke dhënë mbështetje për mua dhe LDK-në, një mbështetje që gjithmonë ka qenë shembull i demokracisë dhe përgjegjësisë qytetare.

Pesë vitet e fundit kanë qenë vite të ngecjes e përplasjeve, të cilat nuk duhet të lejohen të vazhdojnë më tutje. Shumë projekte të nisura në qeveritë paraprake nuk janë përfunduar ende. Qindra miliona euro janë shpenzuar në tenderë njëburimorë. Kostoja e jetës është shtrenjtuar me rreth 60%. Në mungesë të sigurimeve shëndetësore, mijëra familjeve përballen me vështirësi të jashtëzakonshme për të mbuluar kostot shëndetësore nëpër spitale brenda dhe jashtë vendit. Prodhimi vendor ka ngecur, e importi i mallrave është dyfishuar. Mijëra të rinj e të reja profesionistë kanë emigruar. Qeveria ka zhvilluar një luftë shtypëse ndaj mediave, sindikatave dhe bizneseve. Llogaridhënia e qeverisë karshi publikut ka munguar. Mediumi publik vuan nga buxheti, pasi nuk i është bërë zgjidhja e premtuar për financim të pavarur. Premtimet e shumta, si rruga për Tetovë, hekurudha për Durrës, mbyllja e AKP-së, Banka Zhvillimore, Fondi Sovran dhe premtime të tjera, janë vërtetuar se kanë qenë mashtrime. Shumë vendime të qeverisë e kanë cenuar seriozisht partneritetin tonë me aleatët, në veçanti miqësinë e përhershme të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Data 28 dhjetor është mundësia jonë për të ndalur dështimet, për të rikthyer besimin dhe për t’i dhënë vendit drejtim të qartë demokratik dhe zhvillimor, normalitet në qeverisje dhe perspektivë euroatlantike.

Bashkë me ju, të dashur qytetarë dhe aktivistë, do të punojmë pa pushim që LDK-ja të kthehet në vendin ku i takon, si forcë politike garantuese për të ardhmen demokratike dhe euroatlantikve të Kosovës.

Lajme të ngjashme