Hoti nxjerr një video të ish-Albin Kurtit: Ja njeriu i fjalës, dëgjojeni
Ishte viti 2013 kur premtimet, vizionet dhe elaborimet e gjata se si nuk duhet të dialogohet me Serbinë nuk i kushtonin gjë. Në Besianë, atëbotë opozitari Albin Kurti, shtjellonte gjerë e gjatë se me këtë Serbi, pa i plotësuar “pesë kushte” Kosova “nuk ka pse të komunikojë e lëre më dialogjë”.
Ish-Kryeministri i Kosovës dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka risjellur një video të këtyre profesimeve (tashmë të harruara) të ish-Albin Kurtit. "Ja njeriu i fjalës. Dëgjojeni!"
“Kushti i parë, juridik edhe legal: Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën e saj dhe ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Kushti i dytë, humanitar dhe moral, Serbia duhet të na i kthejë të pagjeturit dhe të na kërkojë falje për krimet e kryera. Kushti i tretë, të na i dorëzojë ata kriminelë që i kanë bërë vrasjet, dhunimet dhe torturat në Kosovës. Kushti i katërt, kushti politik. Serbia duhet me pushu me shtypjen dhe diskriminim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe kushti i pestë është kushti i zhdëmtimit. Pa plotësimin e këtyre kushteve, ne nuk kemi pse të komunikojmë se lërë më të dialogojmë e të negociojmë me Serbinë”, kishte thënë Kurti më 2013.