Hoti: Në tri vitet e fundit, Kosova ka shënuar regres në çdo dimension të zhvillimit ekonomik e social
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka bërë me dije se nën Qeverinë Kurti Kosova ka shënuar regres në çdo dimension të zhvillimit ekonomik e social.
Ai ka vlerësuar kjo po vërtetohet edhe nga raportet ndërkombëtare.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se në këto tri vite Qeveria Kurti ka qenë në “luftë” me mediat, sindikatat, bizneset dhe çdo zë kritik.
“Lufta e Qeverisë në tri vitet e fundit ndaj mediave, sindikatave, bizneseve dhe ndaj çdokujt që ka qenë kritik ka degraduar demokracinë në vend, zhvillimin ekonomik dhe për barazinë sociale. E kemi ngritur këtë shqetësim në vazhdimësi. Tani po dëshmohet nga tri raporte ndërkombëtare, të cilat i pranuam këto ditë: nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga Freedom House dhe së fundmi nga “Reporterët pa Kufij”. Secili raport më negativ se tjetri. Ky i fundit, që merret me lirinë e mediave, na rendit për 19 pozita më poshtë”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, Qeveria Kurti ka ndalur progresin e vazhdueshëm në Kosovë.
“E vërteta është se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është ballafaquar me sfida në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, në luftimin e korrupsionit, në fuqizimin e mediave dhe shoqërisë civile dhe në avancimin e dialogut social. Megjithatë, nga viti në vit është shënuar progres dhe Kosova ka qenë e renditur Kosovën ndër vendet me demokracinë më funksionale në rajon. Në tri vitet e fundit, për fatin e keq të Kosovës, kemi shënuar regres në çdo dimension të zhvillimit ekonomik e social”, ka shkruar Hoti.