Hoti kritikon Qeverinë për menaxhim të parasë publike, sjell disa fakte
Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për menaxhim të keq të parasë publike.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka përmendur disa fakte që, sipas tij, e dëshmojnë këtë.
Deputeti i LDK-së ka treguar se Agjencia e Statistikave të Kosovës vlerëson se në tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e prodhimit për biznese u rritën me 17.2% mesatarisht.
Sipas tij, rritjen më të madhe e ka pasur energjia elektrike dhe gazi me 49.7%.
“Agjencia e Statistikave vlerëson se në tremujorin e tretë të vitit 2022, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, çmimet e prodhimit për biznese u rritën me 17.2% mesatarisht. Rritjen më të madhe e ka pasur energjia elektrike dhe gazi me 49.7%, duke i rritur kështu çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm. Sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza përkohësisht, siç kemi propozuar në pranverë, sot çmimet prodhimit për biznese do të ishte më e ulëta. Rrjedhimisht, çmimet e produkteve të konsumit të përditshëm do të ishin më të ulëta dhe jeta e familjeve do të ishte më të lehtë", ka shkruar ai.
Ai ka vlerësuar se sikur të ulej TVSH-ja dhe të hiqej akciza, sot nuk do të kishim 700 mil euro në llogari të Qeverisë, të cilat po i zhvlerëson inflacioni. “Rreth 300 mil euro do të ishin në buxhetin e familjeve dhe bizneseve dhe do të qarkullonin në ekonomi. As nuk i shpenzojnë mjetet për projekte kapitale dhe për rritje të pagave, e as nuk iu lënë qytetarëve që t’i shpenzojnë. I mbledhin pa nevojë, i mbajnë në llogari dhe zhvlerësohen nga inflacioni. Çfarë menaxhimi katastrofal i parasë publike!”, ka shkruara ai.