Hoti: Hetimet do t’i zbulojnë lidhjet e “Lule Gjelit” me makinerinë propaganduese të VV-së
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj zhvillimeve rreth profilit “Lule Gjeli”, duke pretenduar se hetimet do të zbulojnë lidhjet e tij me atë që e quajti “makineri propaganduese të VV-së”.
Hoti tha se debati politik në Kosovë është helmuar prej vitesh nga gjuha e urrejtjes, linçimet publike, shpifjet dhe fushatat e koordinuara kundër personave që mendojnë ndryshe.
“Për vite me radhë, gjuha e urrejtjes, linçimi publik, shpifjet dhe fushatat e koordinuara kanë helmuar debatin politik në Kosovë. Emra, profile anonime dhe mekanizma propagandistikë janë përdorur për të sulmuar këdo që mendonte ndryshe”, shkroi Hoti.
Sipas tij, rasti “Lule Gjeli” nuk duhet trajtuar si veprimtari e izoluar e një profili anonim, por si pjesë e një modeli më të gjerë dhe të rrezikshëm politik.
“Rasti Lule Gjeli duhet të shërbejë si këmbanë alarmi. Nga hetimet do të zbulohen lidhjet e ‘Lule Gjelit’ me makinerinë propaganduese të VV-së dhe se nuk kemi të bëjmë vetëm me një rast të izoluar, por me një model të rrezikshëm të të bërit politikë”, deklaroi ai.
Hoti kërkoi nga Prokuroria të veprojë me urgjencë dhe të hetojë personat që mund të jenë përfshirë në organizimin e fushatave të tilla.
“Askush nuk mund të jetë mbi ligjin, e aq më pak ata që, në emër të pushtetit, kanë mbjellë urrejtje dhe përçarje në shoqëri”, përfundoi Hoti.