Hoti: Ekipi Menaxhues s`i ka respektuar rregullat, Kurti s`është dashur ta pranonte draftin e tij
Ish-kryeministri Avdullah Hoti e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për pranimin e draft-statutit të Asociacionit, i cili është paraqitur në takimin e 2 majit në Bruksel nga Ekipi Menaxhues.
Ai ka bërë me dije se sipas Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, ky draft është dashur të përpilohej nga ekipi menaxhues prej 4 serbëve së bashku me MAPL-në, OSBE-në dhe BE-në.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se ekipi nuk i ka respektuar këto procedura, prandaj është dashur që Kurti ta refuzon këtë draft.
“Megjithatë, Kryeministri Kurti këtë detyrë të përgatitjes së draftit të parë të statutit ua la në dorë vetëm 4 serbëve, pa përfshirjen e MAPL-së, OSBE-së dhe BE-së. Ai neglizhoi këtë çështje edhe pse e kishte në dorë përmes Ministrit të Pushtetit Lokal, z.Krasniqi, i cili sipas marrëveshjes e themelon këtë ekip. Dhe, duke qenë se e themelon, mund ta shkarkojë dhe t’i kërkojë llogari për punën. Duke pasur parasysh këtë, ishte absurd deklarimi i Kurtit se draftin e ka parë për herë të parë në tavolinë të dialogut në Bruksel më 2 maj 2023. Vetëm Kurti e di përse e lejoi ekipin menaxhues të prezantoj draftin në Bruksel pa e parë fillimisht vetë dhe pa u siguruar se në përgatitje të draftit ishte përfshirë edhe MAPL-ja, OSBE-ja dhe BE-ja”, ka shkruar Hoti.
Ai ka treguar se ky ekip edhe në vitin 2018 e kishte draftuar një statut të tillë.
Sipas tij, drafti ishte refuzuar nga Brukseli me arsyetimin se nuk i kishte respektuar procedurat e marrëveshjes.
“Pas prezantimit të draftit të statutit në takimin e 2 majit 2023 në Bruksel, udhëheqësja e ekipit menaxhues deklaroi se statuti i prezantuar ishte përpiluar në vitin 2018. Kjo ishte koha kur Qeveria Haradinaj i kishte kërkuar këtij ekipi ta përpilonte draftin, që ishte veprim i gabuar pasi drafti do të duhet të përpilohej me përfshirjen e MAPL-së, OSBE-së dhe BE-së. Në kohën e Qeverisë Haradinaj, ekipi menaxhues e kishte dërguar draftin vetëm në Bruksel, e jo tek Qeveria e Kosovës. Sipas informatave anësore, Brukseli kishte refuzuar ta pranonte draftin pasi ky veprim ishte kryer jashtë procedurave të dakorduara dhe si i tillë ishte totalisht i papranueshëm edhe për Brukselin”, ka shkruar Hoti.