Hoti: Asnjë avancim në prokurimin publik gjatë vitit 2023
Deputeti i LDK-së, Avdull Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për prokurimin publik.
Ai ka bërë me dije se gjatë vitit 2023 nuk ka pasur asnjë avancim në prokurimin publik.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoti ka shkruar se gjatë këtij viti prokurimi publik është karakterizuar me bllokadë në shqyrtimin e lëndëve.
Ai ka përmendur edhe shtimin ankesave në OShP.
“Asnjë avancim në prokurimin publik gjatë vitit 2023. Përkundrazi, prokurimi publik është karakterizuar me bllokadë në shqyrtimin e lëndëve, tejkalim të afateve ligjore në shqyrtim të lëndëve, diskriminim ndaj operatorëve, ndryshim joligjor të rregullores së punës dhe mungesë transparence në shqyrtimin e ankesave. Dhjetë vërejtjet kryesore nga monitorimi i punës së Organit Shqyrtues të Prokurimit gjatë vitit 2023 janë si në vijim: 1. Në OShP janë deponuar 748 ankesa nga operatorët, por vetëm 23% e tyre janë zgjidhur brenda afatit ligjor. 2. Për 116 ankesa, ka skaduar afati ligjor për shqyrtim. 3. Koha mesatare e zgjidhjes së ankesave është rritur nga 55 ditë, sa ka qenë më herët, në 63 ditë për vlerën e lëndëve të ankesave deri në 300,000.00 euro”, ka shkruar ai.
Sipas tij, OShP po përdorë standarde të dyfishta të shqyrtimit të ankesave, pasi Bordi kishte vendosur që të mos trajtoheshin ankesat të cilave u kishte skaduar afati ligjor për shqyrtim.