Holandezi Rutte e siguron përkrahjen e Britanisë për sekretar të ardhshëm të NATO-s
Britania do ta përkrahë kryeministrin holandez në largim, Mark Rutte, për t’u bërë pasardhës i Jens Stoltenbergut si sekretar i Përgjithshëm i NATO-s, tha të enjten Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar.
Pasardhësi i Stoltenbergut, kushdo që të jetë ai, do ta marrë detyrën në kohë kritike, i ngarkuar me detyrën e mbajtjes së përkrahjes së vendeve të aleancës për mbrojtjen e kushtueshme të Ukrainës kundër pushtimit rus, ndërkohë duke bërë rojë kundër ndonjë eskalimi që do ta tërhiqte NATO-n drejtpërdrejt në një luftë me Rusinë, raporton agjencia “Reuters”.
Varësisht nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në ShBA, sekretari i ardhshëm i NATO-s gjithashtu mund të ballafaqohet me mandatin e dytë të Donald Trumpit, i cili edhe një herë e ka vënë në pikëpyetje zotimin e tij për t’i mbrojtur aleatët e NATO-s.
Rutte, që konsiderohet kandidat favorit për pozitën e lartë, e kishte sinjalizuar interesimin e tij për këtë detyrë vitin e kaluar.
Zyra e Jashtme e Britanisë tha se Rutte është figurë e respektuar në NATO me kredenciale serioze në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë dhe person që do të garantonte që aleanca do të mbetej e fuqishme dhe e përgatitur për çfarëdo nevoje për ta mbrojtur veten.
Sekretari i NATO-s emërohet përmes konsensusit që e kërkon përkrahjen – ose të paktën mungesën e kundërshtimit – nga të gjitha 31 shtetet anëtare. Suedia pritet të bëhet së shpejti anëtarja e 32-të.