Historiani i njohur: Shkolla e Ulët e Pejës daton 20 vjet para asaj në Korçë
Në historiografinë shqiptare, përgjithësisht është e pranuar që shkolla e parë shqipe është hapur në Korçë në vitin 1887. Por një interpretim më ndryshe e ka bërë Jahja Drançolli, historian i njohur nga Kosova.
Sipas Drançollit, shkolla e Ulët e Pejës daton 20 vjet para hapjes së Mësonjëtorës së Korçës. Sipas tij, kjo shkollë është themeluar në vitin 1867.
“Shkolla e Ulët e Pejës e themeluar në vitin 1867 nga Perandoria Austro-Hungareze, daton 20 vjet para hapjes së Mësonjëtorës së Korçës!” – shkroi ai.
Tutje, Drançolli ka shkruar se Peja atëbotë i kishte 20 mijë banorë, duke qartësuar se në këtë shkollë nxënësit mësonin edhe shqip. Historiani i njohur nga Kosova shkroi se kjo shkollë ka funksionuar të paktën deri në kohën e krijimit të Mbretërisë serbo-kroate-sllovene (1918).
“Krahas disa shkollave osmane-turke, në gjysmën e dytë të shekullit XIX, kur qyteti kishte rreth 20 mijë banorë, në vitin 1867 u themelua shkolla katolike e qytetit, ku nxënësit mësuan edhe shqip. Shkolla në fjalë, e cila lidhet me emrin e Franz Joseph I, perandorit austro-hungarez, kishte funksionuar të paktën deri në kohën e krijimit të "Mbretërisë SKS (1918), kur gjithçka që çonte në një identitet joserb do të përmbyset!” – shkroi ai.