Hill godet Kurtin: Vuçiq bëri punët e shtëpisë, pala tjetër nuk ishin të përgatitur
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, deklaroi se Serbia ka shkuar e përgatitur në raundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi, i cili u mbajt në Bruksel më 18 gusht, por se palët e tjera nuk ishin të gatshme “të bisedonin për specifika”.
Në një intervistë për mediat në Beograd, N1, Hill ka deklaruar se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili po ndërmjetësohet nga BE-ja po bëhen dy përpjekje: adresimi i çështjeve urgjente, përkatësisht vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për targat dhe dokumentet serbe dhe adresimi i çështjeve, siç tha ai, të rëndësishme, përcjell REL.
“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika", tha Hill.
"Mendoj që për të zgjidhur këto çështje përfundimisht duhet të flisni për specifika. Por, po ashtu duhet t’i vendosni këto specifika në një kontekst më të gjerë dhe konteksti më i gjerë është çështja e komunitetit serb dhe se si ky komunitet do të jetojë në të ardhmen. Për mua është kyçe që komuniteti serb të ndihet si në shtëpi në Kosovë dhe të sigurt. Pra, janë disa përpjekje për të cilat duhet të bisedohet dhe besoj që këto përpjekje do të vazhdojnë”, tha Hill.
Ai pohoi se presidenti i Serbisë, mbërriti në takimin e tyre “për të negociuar dhe vërtetë bëri punët e shtëpisë.”
"Mendoj se ata [Serbia] vërtetë tentuan që të ishin fleksibil dhe për të gjetur zgjidhje”, tha Hill.