Hezbollahu e kërcënon Qipron, nëse ia jep Izraelit territorin për përdorim në konflikt - NACIONALE

Hezbollahu e kërcënon Qipron, nëse ia jep Izraelit territorin për përdorim në konflikt

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Udhëheqësi i Hezbollahut, Sayyed Hassan Nasrallah, paralajmëroi për një “luftë pa rregulla ose tavane” në rast të një ofensive të plotë izraelite kundër këtij grupi libanez, si dhe kërcënoi se Qiproja do të mund të vihej në cak, nëse e lejon Izraelin që ta përdorë territorin e ishullit në ndonjë konflikt.

Qiproja dhe Izraeli kanë një marrëveshje dypalëshe për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, në bazë të së cilës të dyja vendet kanë kryer ushtrime të përbashkëta, raporton gazeta “The Guardian”.

“Hapja e aeroporteve dhe bazave qipriote për armikun izraelit për ta shënjestruar Libanin do të nënkuptonte që qeveria qipriote është pjesë e luftës dhe rezistenca do të merret me të si pjesë e luftës” – tha kreu i Hezbollahut.

Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, u kundërpërgjigj të mërkurën në mbrëmje, duke thënë: “Qiproja mbetet i papërfshirë në çfarëdo konflikti ushtarak dhe e pozicionon veten si pjesë e zgjidhjes, jo e problemit.”

Ai u mundua që ta vinte në pah rolin humanitar që vendi i tij e ka luajtur në Lindje të Mesme, duke e lehtësuar hapjen e një korridori detar për transportimin e ndihmave shumë të nevojshme drejt Gazës.

“Korridori ynë humanitar është testament i zotimit tonë ndaj paqes dhe stabilitetit” – u tha ai gazetarëve në një ceremoni diplomimi në Universitetin e Qipros.

“Deklarata të tilla nuk janë të këndshme, por ato nuk e pasqyrojnë realitetin. Qiproja nuk do të marrë pjesë në asnjë betejë ushtarake” – shtoi presidenti qipriot.

Më tej, ai paralajmëroi se ky kërcënim do të ngrihet për diskutim përmes kanaleve diplomatike.

Komentet e Nasrallahut erdhën një ditë pasi gjeneralët izraelitë thanë se ishin pajtuar për një ofensivë më të gjerë kundër Hezbollahut, ndërsa ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, la të kuptohej se vendi i tij ishte buzë vendimit nëse do të zgjerohet lufta apo jo./Nacionale

Lajme të ngjashme