Heshtja e institucioneve për një ligj që i mbron vlerat e luftës, OVL-UÇK paralajmëron protesta
OVL e UÇK-së sot ka paralajmëruar protesta të reja.
Përmes një reagimi publik, kjo organizatë ka treguar se kjo do të bëhet për shkak se ende nuk kanë pranuar asnjë përgjigje nga kryeministri Albin Kurti për Ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës.
Kjo organizatë ka vlerësuar se është shqetësuese dhe e papranueshme mungesa e reagimit institucional për këtë çështje.
“OVL e UÇK-së njofton opinionin publik se, deri më tani, nuk ka pranuar asnjë përgjigje nga Kryeministri i Republikës së Kosovës dhe Kryeparlamentarja lidhur me kërkesat tona për hartimin dhe miratimin e Ligjit për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së, si dhe për garantimin e të drejtave të veteranëve që u takojnë me ligj. Kjo kërkesë është drejtuar zyrtarisht më datë 20 shkurt 2026. Pavarësisht pritjes dhe gatishmërisë sonë për bashkëpunim institucional, mungesa e reagimit nga institucionet përkatëse është shqetësuese dhe e papranueshme për një kategori që ka dhënë gjithçka për lirinë e këtij vendi”, është thënë në reagimin e OVL-UÇK-së.