Heqja e ndalesës së mallrave serbe, Vuçiq: Gjermanët dhe amerikanët e detyruan Kurtin, ai e pranoi ‘pro forma’
Për heqjen e ndalesës së mallrave serbe në vetëm një pikëkalim kufitar – në Merdare – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se “është lajm i mirë” dhe se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “u detyra” nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tha se e pranoi “pro forma*”.
“Gjermanët dhe amerikanët e detyruan Kurtin të pranojë diçka dhe ai, natyrisht, e ka pranuar ‘pro forma’ dhe kamionët presin me ditë të hyjnë dhe janë kryesisht prodhimet tona”, tha Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë, siç e citoi "KoSSeV".
"Produktet e fabrikave tona që janë të huaja, nga Henkel e deri tek të gjitha të tjerat. Ato më së shumti tregtojnë (në Kosovë). Por sigurisht, ky është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit tanë të tjerë”, tha mes tjerash Vuçiqi.
- Pro-forma* e ka kuptimin “e një liste të gjërave që janë porositur, dërguar me çmimet e tyre te një klient në mënyrë që gjërat të mund të paguhen përpara se të dorëzohen” (fjalori i Kembrixhit)