Haziri: Po flas për vete dhe në emër të Abdixhikut – s’ka bisedime me VV-në
Deputeti i Lidhjes Demokratike, Lutfi Haziri, ka mohuar kategorikisht se po zhvillohen negociata mes LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Duke folur në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Haziri tha se pavarësisht disa kontakteve të izoluara mes përfaqësuesve lokalë të dy partive – si rasti i takimit në Vushtrri – këto nuk përfaqësojnë asnjë proces të organizuar apo të miratuar nga udhëheqësia e LDK-së.
“Nuk ka, po flas edhe për vete edhe në emër të Lumir Abdixhikut, i cili është kryetar i LDK-së, nuk ka bisedime. Krejt tjerat janë në nivel spekulativ. A ka pasur kontakte sikur këto që po ndodhin tash në nivele të caktuara të përfaqësuesve veprimtar, mund të ketë takime që kanë dalë edhe nëpër media, ajo që ndodhi në Vushtrri, ato janë të izoluar, është e izolueme krejt si rast edhe mos t’i kthehemi këtij tregimi.
Gjithçka tjetër që quhet vendim ose qëndrim për bisedime në ndërtim të institucioneve ende vlen dhe është në fuqi, qëndrimi zyrtar i LDK-së, si përgjigjej në letrën e z.Kurtit, LDK nuk është e interesuar për shkak të arsyeve politike që i ka dhënë publikisht, për të pranuar një ofertë, një bashkëpunim i cili çon në ndërtim të institucioneve sipas rezultateve të 9 shkurtit.” – tha Haziri.