Haxhiu: Vendimi i Supremes për votat preferenciale krijon precedent të rrezikshëm
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Supreme, e cila refuzoi ankesën e tij për rinumërimin e votave preferenciale.
Haxhiu tha se respekton Gjykatën Supreme si institucion, por nuk pajtohet me arsyetimin e vendimit. Sipas tij, gjatë shqyrtimit të ankesës nuk janë trajtuar prova të reja që lidhen me rinumërimin e 185 vendvotimeve.
Ai pretendon se Raporti Zyrtar i Sekretariatit të KQZ-së ka evidentuar gabime në 38 komuna dhe ndryshim prej 10.71 për qind të votave të PDK-së në mostrat e rinumëruara. Haxhiu kundërshton vlerësimin se parregullsitë ishin të izoluara, duke thënë se ato janë shfaqur në secilën komunë ku është kryer rinumërimi.
Kandidati i PDK-së akuzoi gjithashtu KQZ-në se nuk ia ka ofruar të gjitha të dhënat për ndryshimet e votave të secilit kandidat, çka, sipas tij, përbën shkelje të barazisë procedurale.
Haxhiu tha se diferenca mes tij dhe kandidatit të fundit që ka fituar mandat është 102 vota. Sipas tij, certifikimi i rezultatit në këto rrethana dëmton besimin në procesin zgjedhor.