Haxhiu: Retorika e liderëve për luftën i tremb investitorët që mund të vijnë në Kosovë
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka kritikuar liderët institucionalë, të cilët vazhdimisht po e përmendin retoriken e luftës.
Ai ka vlerësuar se kjo retorikë e dëmton Republikën e Kosovës.
Në një prononcim për Ekonomia Online, Haxhiu ka thënë se kjo retorik tremb investitorët që dëshirojnë të vijnë në Kosovë.
“Kur jemi vendi më i varfër në Evropë, është normale që njerëzit të ikin nga një vend të varfër, si mundemi me e ndalë këtë, vetëm me zhvillim ekonomik. Kur ka zhvillim ekonomik, atëherë qytetarët nuk ikin sepse krijojnë kushte më të mira. Zhvillimi ekonomik vjen me investime dhe me mbështetje të partnerëve dhe të miqve, por nëse çdo ditë lajmi kryesor është potencial kërcënimi që vjen nga Serbia dhe retorika e përditshme politike është për luftën, atëherë investitorët nuk mundën me ardhë, sepse ata dëshirojnë siguri”, ka thënë Haxhiu.
Deputeti i PDK-së ka folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë.
Ai ka thënë se kjo proces duhet të përmbyllet me njohje reciproke.
“Prandaj na nevojitet që procesi i dialogut me Serbinë të përfundojë me njohje reciproke, për të kaluar në atë që është një fqinjësi normale, duke qenë se kam qenë edhe pjesëtar i UÇK-së dhe konsideroj që çështjen e luftës e kemi përfunduar në vitin 1999 me Serbinë dhe neve na nevojitet paqja që mundë të realizohet përmes procesit të dialogut por që kjo të jetë me një njohje reciproke, dhe të na hap rrugën e perspektivës evropiane”, është shprehur Haxhiu.