Haxhiu: Reformat në drejtësi do të bëhen duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë me dije se reformat në drejtësi do të bëhen duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se në punimet e Ministerialit ndërmjet BE dhe BP6 për drejtësi dhe punë të brendshme kanë diskutuar për arritjet e reformës në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionin, krimet e luftës dhe dhunën në familje.
“Sapo përmbyllëm punimet e Ministerialit ndërmjet BE dhe BP6 për drejtësi dhe punë të brendshme. Në këtë forum diskutova për arritjet e reformës në drejtësi, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionin, krimet e luftës dhe dhunën në familje. Theksova qëndrimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që reformat në drejtësi do të bëhen duke marrë parasysh edhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Gjithashtu, diskutuam edhe për agresionin rus mbi Ukrainën. Përmenda që Republika e Kosovës i është bashkuar linjës së Bashkimit Evropian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë po ashtu heqjen e vizave për shtetasit e Ukrainës, ndihmën humanitare dhe strehimin e 11 gazetarëve, për të cilët është ofruar akomodim dhe kushte për punën e tyre të vlefshme”, ka shkruar Haxhiu.