Haxhiu: Protestat e studentëve sensibilizuan opinionin kombëtar e ndërkombëtar
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka përkujtuar demonstratat paqësore të studentëve të mbajtura me një tetor 1997, që sipas tij këto demonstrata sensibilizuan opinionin kombëtar e ndërkombëtar.
Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se demonstratat studentore ngritën vetëdijen kombëtare dhe u bënë kthesë për veprim, për t’i rrokur armët se Serbia nuk kuptonte mjetet paqësore.
“Si pjesëmarrës, organizator dhe koordinues mes Unionit të Pavarur të Studentëve dhe SHP te UÇK-së them se kjo ngjarje ndikoi edhe më shumë në vendosmërinë e shumë studentëve që nga studimet t’i bashkohen UÇK-së”, ka shkruar ai.
Haxhiu gjithashtu ka thënë se në atë kohë ishin të bashkuar studentët dhe mësimdhënësit rreth një ideali, ndërkaq sot, të ndarë nga inatet personale, nga xhelozia, nga ambicia e sëmurë për pushtet.
“Të gjithë atyre djemve dhe vajzave e profesorëve idealist ua uroj këtë ditë të shënuar në historinë më të re të popullit shqiptar Një Tetor 1997”, ka shkruar ai.