Haxhiu: Ligji për Sigurime Shëndetësore ishte propagandë elektorale e VV-së
Bekim Haxhiu nga PDK ka folur për Ligjin për Sigurime Shëndetësore, të miratuar në prill të këtij viti, të cilin e ka quajtur vetëm propagandë elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje.
Haxhiu ishte i ashpër me kritika ndaj mënyrës se si ka kaluar ky ligj, pasi është miratuar me procedurë të përshpejtuar.
Ndërkohë, për funksionalizimin e plotë të sigurimeve shëndetësore kërkohen një sërë parakushtesh që ende nuk janë përmbushur.
“Është ligji i njëjtë, i cili ka ardhur në vitin 2024, është kaluar me procedurë të përshpejtuar, sa për propagandë elektorale, mirëpo si i tillë ai ligj në bazë të asaj që është paraparë, janë përafërsisht dhe 20 udhëzime administrative, në të cilat duhet të rregullohet për t’u funksionalizuar sigurimet shëndetësore. E kanë thënë edhe vetë zyrtarët e Vetëvendosjes se kjo merr kohë dhe sipas këtyre që kemi parë deri më tani, ai nuk mund të jetë funksional sipas deklarimeve të tyre, para vitit 2030, pra nuk kishin qëllime për të bërë sigurime shëndetësore funksionale, por kishin qëllim me miratuar një ligj, sa për t’i mashtruar qytetarët që gjoja ata kanë bërë një ligj, derisa ne kemi ligjin për sigurime shëndetësore prej vitit 2014, mirëpo s’kemi pasur menaxherë shëndetësorë, të cilët i implementojnë sigurimet shëndetësore. Pra, janë disa parakushte për të funksionalizuar sigurimet shëndetësore, këto janë të rëndësishme, funksionalizimi i SiShit, lista e shërbimeve të cilat i mbulon sigurimi shëndetësor, çmimorja e shërbimeve shëndetësore, edhe për 6 vite ne s’kemi parë asnjë punë që këta e kanë bërë në këto tri shtyllat kyçe, të cilat janë esenciale për funksionalizimin e sigurimeve shëndetësore dhe si i tillë pra, ishte bërë për propagandë elektorale dhe jo për t’iu shërbyer qytetarëve”, tha Haxhiu, për eo.