'Prindërit në ankth për tekstet shkollore' Haxhiu-Çekut: Ku është deputeti që luan rolin e Ministrit të Arsimit
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar ministrin në detyrë të Arsimit, Hajrulla Çekun, për, siç ka thënë ajo, mungesën e angazhimit dhe transparencës lidhur me përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor.
Haxhiu ka thënë se, dhjetë ditë para fillimit të vitit shkollor, prindërit kosovarë përballen me pasiguri për tekstet shkollore. Ajo ka pretenduar se Çeku, që nga marrja e detyrës më 18 shkurt, ka publikuar vetëm tri postime për punën e dikasterit të tij në profilin zyrtar në Facebook.
Sipas saj, mungojnë njoftimet dhe sqarimet për çështjen e teksteve shkollore, ndërsa aplikimi për subvencionimin e librave është hapur vetëm më 27 korrik.
Haxhiu e ka akuzuar ministrin në detyrë për neglizhencë ndaj sistemit arsimor, duke e cilësuar situatën si “injorancë dhe tallje” me prindërit dhe nxënësit.
Postimi i plotë:
"Sot është data 21 gusht. Kanë mbetur saktësisht edhe 10 ditë nga fillimi i vitit të ri shkollor dhe prindërit kosovarë ndodhen në ankth e kaos të plotë për librat e fëmijëve të tyre. Po ku është deputeti që luan rolin e Ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku? Nëse hyn dhe e shikon profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale, aty ku ai do të duhej të jepte llogari për punën për të cilën paguhet me taksat tona dhe ku gëzon çdo benefit të mundshëm të pushtetit, të del përpara një realitet sa qesharak, aq edhe i dhimbshëm. Që nga 18 shkurti, kur ai zyrtarisht mori detyrën si Ministër i Arsimit, kanë kaluar plot 6 muaj (saktësisht 184 ditë). Gjatë gjithë kësaj kohe, ky ministër ka saktësisht vetëm TRI postime në total për dikasterin që ai udhëheq në profilin e tij zyrtar, ku nuk ka ngurruar hiç të publikojë postime tjera, populliste siç dinë këta të VV-së. Kjo kronologji e frikshme e izolimit dhe dembelizmit zyrtar tregon se ai ka shkruar diçka vetëm më 21 maj, ka vazhduar të nesërmen më 22 maj dhe e ka mbyllur aktivitetin e tij më 23 maj. Përveç një urimi krejtësisht formal për 7 Marsin në fillim të mandatit, ky njeri nuk ka asnjë aktivitet tjetër në profilin e tij. Nuk ka asnjë njoftim, asnjë vizitë nëpër shkolla, asnjë takim me mësimdhënës dhe asnjë sqarim për krizën e teksteve shkollore. Sipas llogarisë së tij zyrtare në Facebook, i bie që ky ministër në 6 muaj mandat ka punuar vetëm 3 ditë rresht në muajin maj dhe pastaj është zhdukur. Nuk ka hiç asnjë sqarim se pse aplikimi për subvencionimin e librave u hap kaq vonë, tek më 27 korrik, duke e futur tërë sistemin në kolaps në prag të shtatorit. Kur të gjitha shtetet e rajonit i ndajnë librat që në qershor, ministri ynë "i tri postimeve" kujtohet në fund të verës, duke e futur tërë sistemin në kolaps. Kjo është injorancë dhe tallje e hapur me dinjitetin e prindërve dhe nxënësve. A paguhet një ministër i Republikës për 6 muaj rresht që të ketë shenja jete vetëm 72 orë brenda gjithë kësaj periudhe? Si mundet që njeriu që ka në dorë fatin e mijëra fëmijëve, ta ketë këtë mospërfillje kaq të madhe ndaj detyrës së tij? Kjo është pasqyra e vërtetë e këtij pushteti: përfitime maksimale për vete, e heshtje totale për qytetarët."