Haradinaj viziton vëllain e dy heronjve që u lirua dje nga Gjykata Speciale
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar Fadil Fazliu, vëllain e dy heronjve, i cili dje është liruar me kusht nga Gjykata Speciale.
Ai ka bërë me dije se Fazliu ishte në shërbim të atdheut në të gjitha fazat historike të përpjekjeve për liri.
Në profilin e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se Fazliu kaloi edhe një sfidë të padrejtë.
“Familja Fazliu ishte në shërbim të atdheut në të gjitha fazat historike të përpjekjeve për liri. Vëllai i dy Heronjve, Fadil Fazliu, kaloi edhe një sfidë të padrejtë, që i ndodhi atij sikurse bashkëluftëtarëve që gjenden ende në Hagë: Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala. Pas kthimit të tij në familje, pata nderin ta vizitoj Fadil Fazliun, për t’i shprehur respektin për qëndrueshmërinë e tij dhe për sakrificën e familjes Fazliu ndër breza”, ka shkruar ai, duke shtuar se i gëzohet lajmit për lirimin e tij.
“I gëzohemi kthimit në atdhe e po ashtu të Gjeneral Haxhi Shalës, Bashkim Smakajt, Nasim Haradinajt, Isni Kilajt dhe Hysni Ngucatit. Presim lirimin e të gjithëve, që t’u bashkohen familjeve të tyre dhe të korrigjohet kjo padrejtësi. Më 17 shkurt, në ora 14:00, bashkohemi të gjithë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të luftës sonë të drejtë e çlirimtare”, ka shkruar ai.