Haradinaj: Po punohet për qeveri të opozitës, Kurti nuk i ka numrat
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se ende është duke u punuar për formimin e qeverisë së opozitës.
Ai ka bërë me dije se secila parti opozitare do ta ketë hapësirën e vetë në këtë qeverisë.
Në një intervistë për “Kosovapress”, Haradinaj ka deklaruar se opozita duhet të qëndroi e bashkuar.
“Ende po punojmë për qeverinë e opozitës, të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse do ta kenë hapësirën e vetë, me këtë rast edhe Limaj edhe Nisma. Mendojmë se ia kemi borxh qytetarëve të vendit, se ne ua kemi kërkuar votën për ndryshim. Pra, mendoj se duhet të qëndrojmë bashkë e t’i japim vendit ndryshimin e pritur. Dihet që votuesit e Kosovës nuk i dhanë besimin e plotë ose si përpara Kurtit. Ai ka 10 deputetë më pak duhet ta lexojmë këtë mesazh të votuesve të gjithë. Ndryshe, çdo veprim tjetër është i dëmshëm për Kosovën, kushdo që mbështet vazhdimin e Kurtit, qeverisë Kurti, është e dëmshme për Kosovën, është i dëmshëm për proceset që do të ndodhin”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka folur edhe për pretendimet e kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, i cili ka thënë se Serbia po e pengon formimin e institucioneve të reja.
Ai ka vlerësuar se Kurti nuk e ka shumicën për formimin e qeverisë së re.
“Jo nuk do ta bëjë [qeverinë] nuk e ka shumicën së pari shqiptare, shihni si tenton ta bëjë qeverinë me Listën Serbe, po tenton ta bëjë qeverinë dhe thotë se Vuçiq po e pengon ta bëjë qeverinë. Si ka mundësi Vuçiq ta pengojë bërjen e qeverisë së Kosovës se ai po u varka nga Lista Serbe ose në deputetët serbë, partitë shqiptare të opozitës ashtu siç e sheh demokracia kërkojnë ndryshimin dhe kanë marrë më shumë deputetë sesa ai që është në pushtet”, është shprehur ai.
Ai ka treguar se në adresë të AAK-së nuk ka shkuar asnjë ftesë e Kurtit për takim.