Haradinaj pas takimit me Kurtin: Folëm për nenet e marrëveshjes finale me Serbinë - NACIONALE

Haradinaj pas takimit me Kurtin: Folëm për nenet e marrëveshjes finale me Serbinë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Pas më shumë se një ore në zyrat e kryeministrit Kurti, ka përfunduar takimi mes këtij të fundit e kreut të AA-K-së, Ramush Haradinajt.

Për mediat ka folur Haradinaj por jo edhe Kurti rreth asaj se çka u diskutua prapa dyerve të mbullura.

Haradinaj u shpreh se me Kurtin diskutuan rreth marrëveshjes finale me Serbinë si dhe njohjen reciproke.

Ai nuk përmendi draft-statusin e publikuar dje, por tha se takimi kishte përmbajtje.

“Tema ishte marrëveshja finale me Serbinë për njohje reciproke. E diskutuam procesin, marrëveshjen e sfidat që i ka Kosova në këtë proces. Pra ishte një takim me përmbajtje. Në dikutim për të gjitha nenet e marrëveshjes kemi provu me e dhanë kontributin tonë si Aleancë në mënyrë që Kosova në këtë proces të arrijë sukses”, tha Haradinaj.

Ai tha se procesi i dialogut, duhet ta ketë vulen e Amerikës.

“Duhet të vazhdojmë më tutje bashkë me aleatët tanë, Amerikën dhe aleaten Evropian. Ky proces duhet ta ketë edhe vulen e Amerikës, jo vetëm përkrahjen. Kërkesë e imja ishte që si garanci për këtë proces”, tha Haradinaj.

E ftesës së kryeministrit Kurti nuk i janë përgjigjur pozitivisht kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku e kreu i PDK-së Memli Krasniqi.

Ditë më parë, përmes një shkrese elektronike, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ftoi krerët opozitarë në një takim që do të mbahet sot nga ora 12:00.

Në shkresën elektronike, për të cilën ka raportuar Nacionale, nuk bëhej fare e ditur tema apo agjenda e takimit gjegjës.

"Shpresoj që ky email t'ju gjejë mirë. Po ju shkruaj në emër të kryeministrit të Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti për të ftuar në një takim të përbashkët kryetarët e partive politike opozitare. Takimi mbahet këtë të premte me datë 21 tetor, në ora 12:00, në Zyre të Kryeministrit. Në takim është i ftuar kryetari i partisë politike bashkë me një shoqërues", thuhet në shkresën e pranuar dje nga opozita.

Lajme të ngjashme