Haradinaj me premtim për pensionet: S’do të mbeten nën pagën minimale, do të arrijë në 500 euro
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka premtuar pensione në vlerë të 500 euro.
Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se sot ka vizituar Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës.
“Në një bisedë të hapur përmbajtësore në Shoqatën e Pensionistëve të Kosovës, pata rastin të informohem në hollësi për pozitën jashtëzakonisht të rëndë të pensionistëve, të cilët janë injoruar skajshëm nga kjo qeveri dhe janë lënë me pensione që nuk garantojnë as minimumin ekzistencial të tyre.
Më këtë rast, në cilësinë e kandidatit për kryeministër nga koalicioni; AAK, Nisma, Konservatorët dhe E-30, pata kënaqësinë që ta shpalos një pjesë të programit tonë që trajton kategoritë e pensionistëve për periudhën 2025-2029.” – ka shkruar ai.
Tutje, Haradinaj ka thënë se “janë të vendosur që pensioni për kontributdhënësit të mos mbetet nën pagën minimale, e cila do të arrijë në 500 euro”.
“Projeksionet tona për 2025-2029 parashikojnë një rritje prej 50% për të gjitha skemat pensionale. Jemi të vendosur që pensioni për kontributdhënësit të mos mbetet nën pagën minimale, e cila do të arrijë në 500 euro. Gjithashtu, po punojmë për të rishikuar uljen e kriterit prej 15 viteve përvojë pune, i cili aktualisht pengon shumë qytetarë të përfitojnë atë që meritojnë.
Është zotim yni edhe rritja përvitshme prej 10% e pensioneve për të gjitha kategoritë.” – ka shkruar ai.