Haradinaj lavdëron Shqipërinë dhe tifozët: Shqiptarët i hijeshuan sheshet dhe stadiumet e Gjermanisë
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka lavdëruar paraqitjen e kombëtares së Shqipërisë në Kampionat Evropian të futbollit.
Ndonëse mbrëmë u eliminua, Haradinaj ka vlerësuar se Shqipëria bëri paraqitje dinjitoze në këtë kompeticion.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar edhe për tifozët shqiptarë.
Sipas tij, ata ia kanë dhënë hijeshi stadiumeve të Gjermanisë.
“Kampionati Evropian i Futbollit, këtë herë, më shumë se sa paraqitjen dinjitoze të Kombëtarës Shqiptare, ka shpërfaqur kulturën dhe shpirtin shqiptar. Tifozëria shqiptare u ka dhënë hijeshi shesheve e stadiumeve të Gjermanisë, kudo ku janë ndeshur kuqezinjtë. Atmosfera e krijuar nga shqiptarët e të gjitha trevave, e posaçërsht nga diaspora, do të renditen ndër margaritarët e këtij kampionati”, ka shkruar Haradinaj.
Kombëtares shqiptare ai i ka uruar suksese në garat e ardhshme.
“Kombëtarja e Shqipërisë, megjithëse nuk arriti të kualifikohet për të tetën e finales, dëshmoi se është e denjë të renditet ndër ekipet më të mira të sportit më të popullarizuar në Evropë. Asaj i urojmë më shumë sukses në kampionatet e radhës, e deri në Kampionatin Botëror, ku me padurim e presim edhe kualifikimin e Kombëtares së Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.