Haradinaj kujton pajtimin e gjaqeve te Verrat e Llukës: Ishte tubimi më madhështor shqiptar - NACIONALE

Haradinaj kujton pajtimin e gjaqeve te Verrat e Llukës: Ishte tubimi më madhështor shqiptar

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot Kuvendin e Pajtimit të gjaqeve, i cili është mbajtur më 1 maj 1990.

Ai ka bërë me dije se ky ishte tubimi më madhështor shqiptar i të gjitha kohërave.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se ky tubim kulmoi me falje dhe shtrirje të dorës së pajtimit në mes shumë familje shqiptare.

“Aksioni dhe Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve, përmes bashkimit e pajtimit të popullit shqiptar ia doli që ta shkëpusë shoqërinë tonë nga epoka e gjakmarrjes për ta unifikuar në lëvizjen për liri e pavarësi. 35 vjet më parë filluan ndryshimet e mëdha drejt realizimit të aspiratave tona si popull. Në Verrat e Llukës, pikërisht më 1 maj 1990, ishte mbajtur Kuvendi i Pajtimit, tubimi më madhështor shqiptar i të gjitha kohërave, ku kulmoi iniciativa më fisnike e rinisë sonë, e faljes dhe shtrirjes së dorës së pajtimit”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.

“Duke ndjerë në shpirt veprën e madhe të paraardhësve tanë, krenohemi me kontributin e Anton Çettës, Zekeria Canës, Don Lush Gjergjit e të gjithë aktivistëve të kohës, veçanërisht rinisë patriotike që inicioi veprën e cila bashkoi dhe mobilizoi tërë shqiptarët. Përgjithmonë mirënjohës kontributit të lëvizjeve kombëtare për liri e bashkim. Përgjithmonë mirënjohës atyre që dhanë jetën për idealet kombëtare!”, ka shkruar Haradinaj.

Lajme të ngjashme