Haradinaj kritikon Kushtetuesen: Vonesa për vendosjen e masës së përkohshme e pajustifikueshme
Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Gjykatën Kushtetuese.
Ai ka bërë me dije se kjo gjykatë është dashur më herët të vendos për masën e përkohshme.
Në profilin e tij në “Facebook”, Haradinaj ka shkruar se vonesa e Kushtetueses për vendosjen e kësaj mase ka qenë e pajustifikueshme.
“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese konfirmon se gjendja aktuale në vend përbën rrezik serioz për funksionimin kushtetues dhe institucional të shtetit. Pikërisht këtë e kishte theksuar edhe AAK në kërkesën e saj të parë drejtuar Gjykatës. Fatkeqësisht, atëherë Gjykata nuk e shqiptoi masën e përkohshme, ndonëse kushtet ishin pothuajse identike me ato që vetë i ka pranuar tani. Në aktgjykimin e fundit, Gjykata konstaton se situata përbën rrezik real për rendin kushtetues, por megjithatë nuk kishte vendosur masën e kërkuar nga AAK. Kjo vonesë e pajustifikueshme vetëm sa ka shtuar paqartësinë dhe krizën kushtetuese në vend. Sot ekziston frika reale se ndërhyrja e Gjykatës mund të ketë ardhur tepër vonë për të parandaluar pasojat që mund të ishin shmangur në kohë, sikur ajo të kishte vepruar me përgjegjësi në momentin kur u paraqit kërkesa jonë”, ka shkruar Haradinaj.