Haradinaj godet Abdixhikun: Veç Lumiri me të tijët janë betonuar pro bllokadës
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kritikoi ashpër kryetarin e Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, duke e akuzuar se me deputetët e tij ka zgjedhur të mbështesë bllokadën institucionale.
Haradinaj kujtoi se ishte AAK ajo që e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke paralajmëruar shumë më herët për krizën institucionale që po afrohej.
Ai theksoi se pas vendimeve të Kushtetueses, partia e tij është rreshtuar në përputhje me aktgjykimin, duke e konsideruar këtë si rrugën e vetme për zhbllokimin e situatës.
Haradinaj shtoi se Abdixhiku “ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon të vendnumërojë ende.”
Postimi:
AAK e ka vërejtur muaj më parë që vendi po hyn në bllokadë të thellë institucionale dhe kjo ka ndodhur. Duke e parë këtë rrezik katastrofik për vendin, AAK e ka dërguar kërkesën për interpretim në Gjykatën Kushtetuese dhe ajo, me vendimin e saj të parë dhe të dytë, e ka vendosur modelin e daljes nga bllokada dhe ne jemi pozicionuar pro vendimit të Gjykatës. Kaq ka qenë përgjegjësia jonë dhe kaq kemi bërë.
Veç Lumir Abdixhiku me të tijët, janë betonuar pro kësaj bllokade. Lumiri ka vendnumëruar në vazhdimësi dhe po vazhdon të vendnumërojë ende.
Vazhdo të vendnumërosh se kjo të shkon për shtati ty, Lumir!