Haradinaj: Ftesa e Presidentit Trump për Presidenten Osmani, lajm i mirë për Kosovën - NACIONALE

Haradinaj: Ftesa e Presidentit Trump për Presidenten Osmani, lajm i mirë për Kosovën

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar si lajm të mirë ftesën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, drejtuar Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, veçanërisht në një kohë të ndjeshme për sigurinë globale.

Në një postim, Haradinaj thekson se pjesëmarrja e Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesë e një strukture ku marrin pjesë liderët e vendeve demokratike, përfaqëson një dritare shprese për rajonin. Sipas tij, kjo iniciativë synon ndërtimin dhe ruajtjen e paqes nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump.

Haradinaj vlerëson se kjo pjesëmarrje e forcon rolin e Kosovës si faktor konstruktiv të paqes dhe stabilitetit rajonal e global, duke hapur mundësi konkrete për riforcimin e partneritetit strategjik me SHBA-në. Ai shton se ky partneritet ka qenë dhe mbetet shtylla kryesore e sigurisë, shtetndërtimit dhe orientimit euroatlantik të Kosovës.

Sipas Haradinajt, rikthimi i Kosovës si partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik për garantimin e sigurisë kombëtare, avancimin e interesave shtetërore, integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit.

Lajme të ngjashme