Haradinaj: Dita e Veteranit do të jetë festë zyrtare në Kosovë
Ramush Haradinaj, kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK, Nisma, Lista Konservatore dhe Forumi Intelektual E-30, ka zhvilluar një takim me veteranët e luftës me rastin e Ditës së Veteranit.
Në këtë ngjarje, Haradinaj deklaroi se Dita e Veteranit do të përfshihet në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e njohjes institucionale të sakrificës së luftëtarëve për liri.
"Dita e Veteranit do të jetë festë zyrtare në Kosovë, si një hap i domosdoshëm për institucionalizimin e respektit ndaj atyre që flijuan gjithçka për lirinë. Përkushtimi ynë për trefishimin e pensioneve të veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve është shprehje e përgjegjësisë sonë institucionale dhe morale." - tha ai.
Ai gjithashtu ritheksoi angazhimin e tij për përmirësimin e mirëqenies së veteranëve, duke premtuar trefishimin e pensioneve për këtë kategori, përfshirë edhe për invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve.