Haradinaj akuzon qeverinë: E ka përjashtuar Kosovën nga harta e investimeve të huaja
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar qeverinë se e kanë përjashtuar nga harta e investimeve të huaja.
Haradinaj këto deklarata i ka thënë pas takimit me emisarin gjerman, Sarrazin.
Postimi:
Gjermania ka qenë dhe mbetet një shtyllë e fortë në krijimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, si dhe një ndër partnerët tanë kryesorë. Për fat të keq, me qasjen vet-izoluese të Qeverisë së Kosovës, vendi ynë është përjashtuar nga harta e investimeve të jashtme. Këtë e theksoi edhe i dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin, në Forumin e Dytë Ekonomik Gjermano-Kosovar, të organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, ku konfirmoi shqetësimin tonë se shumë investitorë po i drejtohen shteteve të tjera të rajonit.
Vet-izolimi i Kosovës po na sjell jo vetëm dëme politike, por edhe dëme të mëdha ekonomike. Kjo po reflektohet qartë në largimin masiv të fuqisë punëtore dhe mungesën e vendeve të reja të punës për shkak të mungesës së investimeve.
Kosovës i duhet ndryshim urgjent, për ta kthyer vendin në rrugën e zhvillimit. Ne kemi potencial në inovacion dhe zhvillim, por për të përfituar nga ky potencial, na duhet një mentalitet i ri qeverisës.