Hapet për qarkullim rruga Prishtinë–Ferizaj
Policia e Kosovës ka njoftuar se rruga nacionale Prishtinë–Ferizaj është rikthyer në qarkullim normal.
Sipas njoftimit, segmenti i rrugës nga rrethi i Marigonës deri te zona e Prishtina Mall kishte qenë i bllokuar gjatë fundjavës si pasojë e reshjeve të shiut dhe pengesave të krijuara në këtë pjesë.
“Njoftojmë qytetarët dhe të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion se rruga nacionale Prishtinë–Ferizaj dhe anasjelltas, përfshirë aksin rrugor në afërsi të Prishtina Mall, është hapur për qarkullim normal të komunikacionit rrugor. Pas përfundimit të punimeve dhe largimit të pengesave të përkohshme, lëvizja e automjeteve zhvillohet pa kufizime dhe në kushte të rregullta trafiku. Institucionet përgjegjëse mbeten të angazhuara për monitorimin e vazhdueshëm të situatës në terren, me qëllim garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së komunikacionit. Ftojmë të gjithë vozitësit që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe rregullat e trafikut, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit.”