Hapet tenderi ndërkombëtar për autostradën Shkup-Prishtinë
Qeveria Maqedonase ka hapur ofertën për tender nderkombëtar, për autostraden e shumëpërfolur Shkup-Prishtinë. Vlera totale e parashikuar e projektit është afer 200milionë euro.
Sipas dosjes së tenderit, projekti do të bashkëfinancohet nga një grant investimi prej 20.8 milionë euro të siguruar nga Bashkimi Evropian përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.
Nënseksioni i mbetur prej 2 km nga Kryqi i Bllacës deri te vendkalimi Kufitar Bllacë me Republikën e Kosovës financohet nga buxheti i qeverisë maqedonase dhe aktualisht është në ndërtim e sipër.
Qeveria maqedonase fillimisht ka bërë njoftim paraprak për ofertë në ueb-faqen prokuruese të BERZH, pasi edhe tenderi do të realizohet në bazë të politikave prokuruese të kësaj banke, raporton Periskopi.
Data e parashikuar e fillimit të prokurimit është data 17.10.2022 dhe aty mund të marrin pjesë edhe kompanitë nga Kosova, të cilat tashmë janë prezentë në projektet infrastrukturorë në Maqedoninë e Veriut.
“Prokurimi në kuadër të këtij projekti do të kryhet duke përdorur Portalin E-Prokurimit të Klientit të BERZH-it (ECEPP). Nëse keni ndërmend të merrni pjesë në ndonjë prokurim sipas këtij projekti, ju lutemi sigurohuni që të jeni regjistruar në ECEPP ( https://ecepp.ebrd.com ). Subjektet e dokumentuara do të njoftohen drejtpërdrejt kur të publikohen mundësitë e prokurimit”, thuhet në njoftimin paraprak të këtij tenderi.
