Hamza pret në takim eurodeputetin Terras, flasin për institucione funksionale
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka pritur sot në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras.
Gjatë takimit me eurodeputetin i pari i PDK-së ka diskutuar për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe domosdoshmërinë e tejkalimit të ngërçit institucional.
Sipas komunikatës së PDK-së, Hamza dhe eurodeputeti Terras vlerësuan se raporti i Parlamentit Evropian është një mesazh i rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por njëkohësisht edhe një thirrje që vendi të mos humbasë më kohë për shkak të krizave të brendshme politike dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve.
“Stabiliteti nuk duhet të nënkuptojë vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisjen demokratike, dialogun politik dhe respektimin e Kushtetutës”, ka thënë Hamza.