Hamza për marrëveshjen VV-LDK për presidentin: Nuk e di a do t’i kenë numrat, PDK s'ka qëndrim për kandidaturën - NACIONALE

Hamza për marrëveshjen VV-LDK për presidentin: Nuk e di a do t’i kenë numrat, PDK s'ka qëndrim për kandidaturën

3 javë më parë

nga NACIONALE

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, është deklaruar pas marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që Bekim Sejdiu të jetë kandidat për president, duke shprehur dilema nëse dy partitë do t’i sigurojnë votat e nevojshme.

Në një prononcim për KosovaPress, Hamza tha se VV-ja dhe LDK-ja, matematikisht, i kanë numrat, por mbetet të shihet nëse të gjithë deputetët e tyre do të jenë të pranishëm dhe do ta mbështesin kandidaturën.

“Ata kanë negociuar që disa muaj. Kanë arritur marrëveshje, nuk e di a do t’i kenë numrat, matematikisht i kanë, por me qenë të gjithë prezentë dhe të votojnë është çështje e këtyre dy subjekteve”, tha Hamza.

Ai theksoi se PDK-ja nuk ka qëndrim për kandidaturën, pasi propozimi nuk vjen nga kjo parti. Megjithatë, Hamza tha se Sejdiu është figurë e njohur për PDK-në.

“E njohim z. Sejdiu, e njohim edhe angazhimin e tij në të kaluarën, kështu që nuk është figurë e panjohur për neve”, deklaroi ai.

Hamza rikujtoi se PDK-ja ka zgjedhur të mbetet në opozitë dhe se do ta ushtrojë rolin e saj në Kuvend përmes kritikave, alternativave dhe mbështetjes së nismave që i konsideron në interes të vendit.

Duke folur për mundësinë që ndonjë deputet i PDK-së të votojë për Sejdiun, Hamza tha se nuk pret devijime nga qëndrimi i partisë.

Lajme të ngjashme