Hamza: Nesër në orën 14:00, në sheshin “Skënderbeu” qëndrojmë të gjithë bashkë për Kosovën dhe UÇK-në
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen “Marshit për Liri”, i cili do të mbahet nesër në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët po mbahen në Hagë.
Përmes një video-adresimi, Hamza ka kërkuar pjesëmarrje sa më masive në këtë marsh, me synimin që ai të jetë më i madhi i organizuar ndonjëherë në Kosovë.
“Le ta shohë bota një popull që nuk e harron të kaluarën e vet, që nuk i braktis ata që i dhanë formë lirisë së tij dhe që nuk hesht kur tentohet të rishkruhet historia e tij. Më 16 shtator, presim vendimin lirues. Por nesër, flet populli. Në orën 14:00, në sheshin “Skënderbeu”, të qëndrojmë të gjithë bashkë. Për të vërtetën. Për lirinë. Për Kosovën! Për UÇK-në! Ju presim në shesh!”, tha kryetari i PDK-së.
Në adresimin e tij, Hamza theksoi se liria nuk përfaqëson vetëm një moment të së kaluarës, por edhe një përgjegjësi që duhet të mbrohet vazhdimisht.
“Çdo brezi, të paktën një herë gjatë jetës, i kërkohet të dëshmojë se çfarë kujton, çfarë vlerëson dhe për çfarë është i gatshëm të qëndrojë. Nesër është momenti ynë. Është momenti i secilit prej jush. Nesër, Kosova duhet të ngrihet në këmbë, e bashkuar, si një trung i vetëm”, tha Hamza.